This isn't an official website of the European Union

Hamami i Durrësit: Dëshmitar i një tradite të gjatë besimi dhe kulture në Shqipëri

Zhurma e pikave të ujit në Hamamin e Durrësit risjell atmosferën e një epoke të shkuar, kur banjat shërbenin edhe si vende pastrimi edhe si qendra sociale. Jehona e ujit që rrjedh, kanalizuar përmes një sistemi tubash për të mbushur sternën që ngrohet nga një oxhak, kumbon përmes hapësirës që dikur pastronte si trupin ashtu edhe shpirtin. Hamamet, zakonisht, vendoseshin pranë një xhamie, në mënyrë që myslimanët të merrnin abdes para lutjeve, si një mënyrë për t'u përgatitur për të hyrë në një gjendje adhurimi.

“Në këtë zonë ka qenë një xhami e bukur, e vjetër, me piktura të mrekullueshme murale dhe vepra arti, por u shkatërrua dhe tashmë edhe gjurmët e saj janë zhdukur”, kujton Hanmir Doka, përfaqësues i Komunitetit Mysliman në Durrës.

Hammam of Durres

I ndërtuar në shekullin XVIII, hamami ndodhet në cepin juglindor të qytetit mesjetar, pranë Kullës Veneciane, dhe vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij të lashtë, banjave romake. Me tri faza ndërhyrjesh, të cilat konsistojnë në zgjerimin e dhomës kryesore dhe shtimin e kolonave të reja dhe harqeve të cekëta në mesin e shekullit XIX, një restaurim gjatë viteve ‘70 të shekullit XX dhe modifikime për ngritjen e një kafeneje në fillim të viteve 2000, shumë prej elementeve të brendshme origjinale ishin ndryshuar apo hequr më herët. I braktisur dhe i mbyllur, objekti u përball me dëmtime të rënda gjatë tërmetit të vitit 2019. Vetë struktura, e ardhur nga tri periudha të ndryshme, me pjesë murature të shtuara në secilën fazë historike përkatëse, funksiononte si tri struktura të veçanta, duke shkaktuar çarje serioze në pikat e nyjave dhe çarje anësore në kube. Duke marrë parasysh vlerat dhe rëndësinë e tij për qytetin dhe Shqipërinë, hamami u përzgjodh si një nga 23 objektet e mbështetura dhe të restauruara në kuadër të programit “BE për kulturën”.

"Jam shumë i lumtur për përurimin e Hamamit, pasi ky vend është një dëshmi e diversitetit fetar, social dhe kulturor të këtij vendi. Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i kësaj bashkëjetese mes njerëzve me tradita të ndryshme. Kjo është edhe ajo çka përfaqëson BE-ja, njerëz me kultura dhe tradita të ndryshme që jetojnë së bashku në harmoni”, tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ditën e përurimit.

Hammam of Durres

Sot, objekti nuk është struktura e plotë që ka qenë dikur, pasi pjesë të hamamit origjinal –përfshirë dhomat dhe hapësirat – mungojnë, duke errësuar kuptimin e plotë të planit dhe funksionit të tij origjinal. Megjithatë, seksionet e mbetura përfshijnë pjesë të sternës së ujit në pjesën e pasme të ndërtesës, e cila kalon përgjatë objektit. Programi “BE për kulturën” u fokusua te ruajtja e sipërfaqeve, restaurimi i elementeve funksionale, stabilizimi strukturor i ndërtesës, përmirësimi i sistemit të kullimit dhe instalimi i sistemeve moderne për ndriçimin, mbikëqyrjen dhe sigurinë. Ai përfshiu gjithashtu një interpretim të bazuar në multimedia, që shpalos tingujt e hamamit, duke treguar historinë e ritualeve të tij dhe rëndësinë e tyre në Shqipëri. Zona përreth hamamit është rregulluar për t'u ofruar vizitorëve një hapësirë për të pushuar dhe reflektuar, si dhe është lidhur me Kullën Veneciane aty pranë.

Traditat e larjes datojnë që nga epoka neolitike, duke u zhvilluar përgjatë epokave, kulturave dhe feve. Gjatë gjithë historisë, njerëzimi i ka përqafuar banjat dhe nxehtësinë në forma të ndryshme - banjat romake dhe bizantine, hamamet turke, banya-t ruse, onsen japoneze, jjimjilbang koreane, shtëpizat e djersitjes të amerikanëve vendas dhe saunat finlandeze. Ndonëse të përshtatura me zakonet vendase, thelbi mbetet i njëjtë: purifikim, spiritualitet, shërim, përtëritje dhe lehtësim stresi.

Hammam of Durres

Duke ia dorëzuar trupin ujit nga një burim apo pus, njerëzit e klasave të ndryshme shoqërore kanë gjetur edhe një mënyrë për të qenë së bashku dhe për t'u lidhur me të mirat e natyrës.

Informacion

Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në  partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet te rinovimi dhe rijetëzimi i 23 objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian, me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë Eurosh. Ai synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar në këtë mënyrë drejtpërdrejt për rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i është kushtuar teknologjive të inovacionit, duke përfshirë rrëfimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale projektuar për të qenë të arritshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, programi mbështet sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen rreth vendndodhjeve të përzgjedhura përmes shpërndarjes së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore.