Gratë artizane në Elbasan ruajnë traditën dhe riciklojnë materialet në pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar
Kjo është hera e parë që kam pasur mundësinë të punoj brenda një komuniteti, çka është e rëndësishme për socializimin. Gjithmonë kam punuar vetëm, duke u munduar të kaloj sa më shumë kohë me vajzën time. Këtu punoj vetëm katër orë në ditë dhe mund të shkoj në shtëpi sa herë që të jetë e nevojshme, duke e rregulluar orarin sipas nevojave të saj”, thotë Flutura Duraku, një grua rreth të 50-tave që filloi të punojë shtatë muaj më parë në “Tradita Ime Artizanale” në Elbasan. Kjo ndërmarrje sociale ruan trashëgiminë kulturore duke punësuar gra nga grupe të cenueshme apo të margjinalizuara, veçanërisht ato nga zonat rurale. Duraku, nënë e një vajze të verbër, është ndër 16 gratë e punësuara përmes projektit “TWIST -Drejt një modeli të ri të sipërmarrjes sociale në pasuritë e konfiskuara në Shqipëri”, financuar nga BE-ja.
EU Delegation to Albania
Gratë artizane në “Tradita Ime” trajnohen dhe më pas punësohen për të prodhuar artikuj të punuar me dorë si qilima, mbulesa tavoline, çanta me grep, kuleta, kapele, doreza dhe çorape. Duke përdorur tezgjahë tradicionalë dhe materiale vendase si leshi i deleve, ato kanë krijuar një markë që tërheq si klientët shqiptarë ashtu edhe ata ndërkombëtarë. Produktet e tyre përfshijnë motive tradicionale shqiptare nga Elbasani dhe rajone të tjera, si dhe simbole kombëtare dhe dizajne sezonale si Babagjyshi i Vitit të Ri, duke synuar t’u shërbejnë audiencave të ndryshme. Hapësira e tyre e punës është rinovuar dhe përshtatur për të ofruar kushtet e nevojshme.
Me një shkëlqim në sytë e saj blu, teksa punon me një çantë të vogël, Duraku tregon se ajo dhe vajza e saj së fundmi janë diplomuar së bashku në degën Ekonomik, duke kapërcyer sfidat e tyre dhe duke u fuqizuar përmes arsimimit.
EU Delegation to Albania
Daniela Shabani, 27 vjeçe, është një nga rekrutimet më të reja që sapo ka mësuar të punojë me tezgjah. "Kam mësuar teknika të ndryshme dhe më pëlqen shumë të bëj atë që bëjnë artizanet me përvojë, si dhe të njoh këtë traditë të vjetër. Në fillim, e pashë si një mundësi pune, por tani është shumë më tepër. Kërkon përkushtim dhe vëmendje, por unë i kam të dyja”, thotë Shabani me entuziazëm.
Për një tjetër punonjëse, Flutura Shtami, dita e parë e punës ishte e frikshme. "Mendova se do të ishte shumë e vështirë të mësoja, por brenda një jave pata besim dhe arrita të bëj disa hapa pothuajse në mënyrë të pavarur. Morëm ndihmë të madhe nga artizanet me përvojë që ndanë sekretet e zanatit. Kur shoh produktin përfundimtar, ndihem krenare dhe mendoj me vete: “Ia dola”, thotë Shtami, e cila kujdeset edhe për vëllanë e saj, i cili vuan nga kufizime fizike për shkak të një aksidenti si emigrant.
EU Delegation to Albania
Gra me prejardhje të ndryshme janë mbledhur këtu për të ruajtur zanatet tradicionale duke mbështetur familjet e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballen. Duke buzëqeshur dhe duke ndarë historitë e tyre të qëndresës, ato na mësojnë të mos dorëzohemi. Ndërmarrja sociale është më shumë se një vend pune; është një hapësirë për biseda, reflektim dhe vazhdim të traditës, duke promovuar gjithashtu ndërgjegjësimin mjedisor.
"Ky është një vend që mbështet grupet e pafavorizuara, por ne gjithashtu përpiqemi të jemi të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit. Ndaj mbledhim dhe riciklojmë rrobat e vjetra, duke i shndërruar ato në çanta apo qilima. Kemi organizuar seanca me fëmijët e shkollave për të rritur ndërgjegjësimin rreth riciklimit dhe disa prej tyre na kanë sjellë edhe rrobat e veta të vjetra”, thotë Saimir Bakalli nga Joscelyn, fondacioni që menaxhon ndërmarrjen, i cili fokusohet te rinia, arsimi, mbrojtja e fëmijëve dhe fuqizimi.
Motoja e ndërmarrjes:"Mbështet një grua në nevojë dhe fuqizo një fëmijë", kap thelbin e punës së tyre. Duke ruajtur traditat, duke ricikluar materiale dhe duke prodhuar mallra të punuara me dorë, ato krijojnë mundësi për ata që përballen me sfida më të mëdha dhe duke i blerë këto produkte, komuniteti mund të ndihmojë për mbështetjen e familjeve në nevojë.
EU Delegation to Albania
INFORMACION
“TWIST- Drejt një modeli të ri të sipërmarrjes sociale në pasuritë e konfiskuara në Shqipëri”, është një projekt trevjeçar i financuar nga BE-ja, i cili synon të kontribuojë në forcimin e efektivitetit të sipërmarrjes sociale si një praktikë e mundshme për rritjen e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe si një model efektiv i ekonomisë gjithëpërfshirëse /biznesit social për të ofruar shërbime, aftësi, punësim dhe mbështetje për grupet e cenueshme, siç janë viktimat e krimit të organizuar. Projekti po përpiqet të rrisë kapacitetet e OSHC-ve për një angazhim efektiv në procesin e vendimmarrjes me institucionet vendore dhe kombëtare dhe si një mjet qytetar për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar në nivel vendor, kombëtar dhe evropian.