Fuqia e muzikës: Transformimi i botës përmes tingujve nga të gjitha kulturat
Kur një violiniste e re u largua nga Shqipëria në vitin 1991 për të shkuar në Itali, pas rënies së regjimit komunist, ajo kishte vetëm një gjuhë për të komunikuar: muzikën. Lindur e rritur në një vend të izoluar, ku Evropa dhe gjithçka që ajo përfaqësonte ishte e ndaluar, si shumë artistë të moshës dhe formimit së saj, ajo kishte ëndërruar për ditën kur do të mund të luante muzikë pa kufizime, frikë apo rrezikun se do të ndëshkohej.
“Ne kemi vlerën e asaj që kemi zgjedhur. Për të gjithë muzikantët, muzika është si lutja në çdo fe, një moment intim me Zotin. Muzika është kaq e thellë dhe emocionet e asaj çka besojmë janë aq të forta, saqë ne mund t'i transmetojmë pavarësisht pasaportave tona”, thotë Abigeila Voshtina, tashmë drejtuese e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.
EU Delegation to Albania
Voshtina ishte një nga folëset në diskutimin e hapur “Si mund të krijojë muzika (muzikantët) dhe arti (artistët) një botë më të mirë?”, organizuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri si pjesë e Javës së Evropës 2024. Diskutimi synonte të eksploronte mundësitë që krijon arti për t'u lidhur, komunikuar dhe kremtuar diversitetin kulturor, duke ndërtuar ura në vend të mureve.
Duke theksuar përpjekjen për të ndërtuar një Evropë ku të gjithë ndihen si në shtëpinë e tyre – pavarësisht nga pamja, kë duan, si luten apo ku kanë lindur – Ambasadori i BE-së në Shqipëri theksoi ngjashmëritë që na bashkojnë përtej gjeografisë, prejardhjes shoqërore dhe përkatësisë politike.
“Kemi vendosur ta vëmë muzikën në qendër të programit tonë, bazuar në intuitën se muzika është një gjuhë që të gjithë e kuptojnë dhe mund të jetë një mjet i fuqishëm për të promovuar vlerat evropiane, ose me fjalë të tjera, për të promovuar ‘tingujt e Evropës’. Vlerat tona të përbashkëta na japin identitetin dhe forcën tonë si evropianë. Falë këtyre vlerave kemi mundur të thellojmë vazhdimisht bashkëpunimin tonë, duke respektuar veçoritë e shteteve tona kombëtare, gjuhën e tyre, kulturën dhe sistemet e solidaritetit dhe demokracisë – ‘Unitet në diversitet”, vuri në dukje Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
EU Delegation to Albania
Diskutimi zbuloi përvoja të ndryshme, duke u fokusuar te të drejtat e njeriut dhe përfshirja, si dhe eksploroi faktin sesi pjesëmarrja në aktivitete muzikore promovon lidhjen sociale dhe mirëqenien emocionale.
“Arti provokon mendimin dhe ligjërimin. Ai na bën shpesh të ndihemi dhe të mendojmë në mënyra të reja. Arti i shtyn kufijtë e asaj çka është e mundur dhe e përfytyrueshme. Ne transformohemi duke përjetuar artin – bëhemi më të pasur, më fisnikë. Arti na thotë se jeta ka një qëllim më të lartë. Publiku ndjek koncerte për të dëgjuar muzikë të mrekullueshme dhe muzika e mirë ka fuqinë për t’i mbartur dhe frymëzuar dëgjuesit. Efekti i artit në shoqëri është jashtëzakonisht pozitiv. Ai na ndihmon për të kuptuar botën në të cilën jetojmë, na kënaq, na ngre humorin dhe na frymëzon që të jemi më të mirë në çdo gjë që bëjmë”, tha Suchet Malhotra, Drejtor i Programit Etno në “Jeunesses Musicales International” (JMI), rrjeti më i madh jofitimprurës në botë që u mundëson të rinjve të zhvillohen përmes muzikës.
EU Delegation to Albania
I pranishëm tashmë në mbi 40 vende, me mbi 40.000 aktivitete të ndryshme muzikore në vit, programi Etno për muzikën popullore, tradicionale dhe atë botërore bazohet në ndarjen ndërkulturore, duke përdorur metodologjitë e të nxënit dhe të mësimdhënies nga bashkëmoshatarët.
“Shohim luftëra dhe konflikte që rrjedhin nga paaftësia për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të pranuar se jemi të ndryshëm (dhe kjo vlerësohet dhe është e rëndësishme). Etno na mundëson ta vlerësojmë njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve në gjuhë, kulturë dhe përkatësi etnike. Të rinjtë i mësojnë njëri-tjetrit muzikën e vendeve dhe kulturave të tyre. Programi ofron një mundësi unike për të rinjtë nga e gjithë bota që të bashkohen dhe të angazhohen përmes muzikës që karakterizohet nga respekti, bujaria dhe çiltërsia”, shpjegon Malhotra.
Ndërsa muzika dhe muzikantët përpiqen të krijojnë një botë më të mirë, vetë bota e tyre në dhomat e provave është e mbushur me trysni, emocione dhe përpjekje të mëdha në kërkim të përsosmërisë. Dimka Migic-Vladkovic, Trajnere e Mirëqenies Mendore për muzikantët, pohon efektet e trysnisë që ndiejnë ata kur interpretojnë. “Konkurrenca dhe kërkesa janë të mëdha; ata ndihen të ekspozuar dhe të kritikuar. Pasojat janë frika nga skena, nervozizmi, pasiguria, vetëvlerësimi dhe vetëbesimi i ulët. Duke i dëgjuar dhe duke biseduar me ta, unë u ndërtoj vetëbesimin dhe krijoj një qasje të shëndetshme ndaj performancës së tyre”, thotë ajo.
EU Delegation to Albania
T'u mësojë atyre ushtrime të ndryshme për të çlodhur trupin dhe për të menaxhuar mendimet negative, dyshimet për veten dhe vetëkritikën është një qëllim. Qëllimi tjetër është parandalimi i tensioneve muskulore që çojnë në lëndime trupore dhe dhimbje.
Pjesëmarrësit treguan perspektiva të ndryshme për krijimin e një bote më të mirë përmes hapave të vegjël, nismave rajonale apo shembujve personalë, duke promovuar rolin që ka muzika për të ardhmen.