This isn't an official website of the European Union

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato në tryezën “Zgjedhjet 2025: Standardet dhe sfidat e integritetit”

Të dashur Ambasadorë 

Të nderuar deputetë,

I nderuar Prokuror i Përgjithshëm

I nderuar Kryeprokuror Special,

I nderuar Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,

Të nderuar anëtarë të shoqërisë civile,

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Dëshiroj shumë të falënderoj organizatat e shoqërisë civile që kanë thirrur këtë takim të rëndësishëm, si dhe ambasadat e Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e këtij aktiviteti. Mendoj se është tamam në kohë.

 

Gjithashtu dëshiroj të falënderoj grupet e ekspertëve për studimet që kanë paraqitur për të pasur diskutimin e sotëm. Siç e dini, BE-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar më tej procesin e saj zgjedhor. Mandati ynë këtu në Shqipëri, siç e them shpesh, është të mbështesim vendin që të përmbushë të gjitha kërkesat themelore për anëtarësimin në BE.

 

Ky është mandati ynë, ky është qëllimi ynë. Të kesh një kornizë solide zgjedhore, që është një faktor kyç i demokracisë, është një nga kërkesat themelore. Dhe siç e dini, Shqipëria është angazhuar të trajtojë çështjet e pazgjidhura të kuadrit të saj zgjedhor në kontekstin e negociatave të anëtarësimit të grup-kapitullit të parë si pjesë e udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike, çka është miratuar si nga qeveria ashtu edhe nga Parlamenti.

 

Dhe siç e dini, ritmi dhe përmbushja e kërkesave në grup-kapitullin e parë përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave. Në dialogun tonë me autoritetet shqiptare për çështjet elektorale, orientimi ynë qendror vazhdon të jenë rekomandimet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSCE/ODIHR-it. Fatkeqësisht, gjatë legjislaturës aktuale, partitë kryesore politike nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore që do të trajtonte të gjitha këto rekomandime. Kjo ishte padyshim një mundësi e humbur. Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë nga afër dhe presim që legjislatura e ardhshme të merret me këto çështje të pazgjidhura me shpejtësi.

 

Duke iu rikthyer tani çështjeve të sotme, të cilat janë financimi i fushatës, transparenca, parandalimi dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore, si dhe trajtimi i shkeljeve të lidhura me zgjedhjet, janë të gjitha kyçe për të garantuar një fushë loje të barabartë dhe integritet me fushatën zgjedhore. 

 

Sa i përket çështjes së integritetit dhe krimeve zgjedhore, dua të them se para së gjithash, qytetarët presin që partitë politike t'i paraqesin kandidatët me integritetin më të lartë në përputhje me ligjin dhe në përputhje me frymën e tij. 

 

Dhe së dyti, kur bëhet fjalë për krimet elektorale, siç konfirmohet në disa raporte të ODIHR-it, blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, fatkeqësisht, vazhdon të jetë problem në Shqipëri. Dhe rekomandimi i bërë nga ODIHR-i është që organet ligjzbatuese të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore në mënyrë të plotë, transparente, dhe në kohë. Në të njëjtën kohë, autoritetet duhet gjithashtu të bëjnë përpjekje të sinqerta për të rritur ndërgjegjësimin për fenomenin e bleres së votave dhe dëmin që krijon për integritetin e zgjedhjeve. 

 

Në këtë kuadër, dëshiroj të përshëndes nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, veçanërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të bashkërenduar veprimet e tyre në prag të zgjedhjeve të majit, me qëllim trajtimin e krimeve të mundshme zgjedhore, si një mënyrë për të garantuar besimin në procesin zgjedhor.

 

Keqpërdorimi i burimeve administrative është nënvizuar gjithashtu në disa raporte të ODIHR-it si një çështje që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta gare. Prandaj mirëpres faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur rolin e tij monitorues në këtë fushë. Pres të dëgjoj mendimin e organizatave të shoqërisë civile mbi situatën aktuale dhe çfarë mund të përmirësohet më tej, për shembull, në lidhje me rregullimin e fushatave online. 

 

Ekziston gjithashtu një nevojë e qartë për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator për financimin e fushatës, siç nënvizohet në disa raporte të ODIHR-it. Aktualisht ka shumë boshllëqe të cilat nuk mundësojnë një nivel të mjaftueshëm të transparencës dhe llogaridhënies. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të kenë një pasqyrë të qartë se si financohen fushatat në vend që të mbështeten në raportimin ex-post. Edhe këtu, pres të dëgjoj pikëpamjet e institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile se çfarë mund të bëhet më shumë. 

 

Është e qartë se disa nga mangësitë me të cilat po përballet Shqipëria mund të trajtohen vetëm me një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës ndërpartiak. Ne presim që parlamenti i ardhshëm ta bëjë pikërisht këtë. Megjithatë, institucionet publike dhe partitë politike tashmë kanë mundësinë të marrin një sërë masash brenda kornizës aktuale lidhur me zgjedhjet e ardhshme të 11 majit. Bashkëpunimi ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut dhe policisë për parandalimin e krimeve zgjedhore është një shembull i mirë. 

 

Së fundi, dëshiroj të nënvizoj se organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kyç në sigurimin e llogaridhënies së proceseve zgjedhore, siç e dëshmon aktiviteti i sotëm. Në Shqipëri, ashtu si kudo, organizatat e shoqërisë civile po monitorojnë nga afër proceset zgjedhore dhe shpesh janë ato që ekspozojnë shkeljet dhe paraqesin ankesa pranë autoriteteve përkatëse. Dhe kjo është arsyeja pse vetë BE-ja mbështet disa OSHC në Shqipëri përmes granteve dhe përpjekjeve të tyre mbikëqyrëse, duke përfshirë edhe një temë tjetër që nuk është tema e diskutimit të sotëm, atë të gjuhës së urrejtjes.

 

Më lejoni të shtoj gjithashtu se Shqipëria nuk është i vetmi vend që përballet me sfida të tilla. Edhe në Bashkimin Evropian, proceset tona demokratike zgjedhore dhe sistemet tona të shtetit të së drejtës kanë dobësi që duhen zgjidhur. Kjo është arsyeja pse vetë BE-ja në vitet e fundit është përpjekur të përforcojë qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e proceseve zgjedhore, veçanërisht nga të gjitha format e komenteve dhe ndërhyrjeve, përmes një sërë mekanizmash si Akti i Shërbimeve Digjitale, forcimi i Kodit të Praktikave për Dezinformimin, Akti Evropian i Lirisë së Medias dhe një rregullore e re për transparencën dhe shënjestrimin e reklamave politike.

 

Ndaj unë shpresoj që konferenca e sotme do të jetë një mundësi për të gjithë aktorët për të pasur një diskutim të hapur dhe shkëmbime mbi këto çështje dhe e mirëpres vërtet faktin që të gjithë aktorët kryesorë janë të pranishëm për ta diskutuar hapur çështjen, për të ndarë përvojën e tyre dhe për të ndarë këndvështrimet e tyre.

 

Ju uroj një diskutim të frytshëm dhe konstruktiv!

Faleminderit!