Fjalimi i Ambasadorit të BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato në përvjetorin e pestë të SPAK
© EU Delegation to Albania
Zoti Dumani,
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe zotërinj,
- Kam kënaqësinë e madhe t’ju bashkohem në festimin e 5-vjetorit të SPAK-ut. Krijimi i një institucioni të fortë dhe të pavarur për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë ka qenë një element thelbësor në reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
- Shumë prej jush kanë qenë të pranishëm që në hapat e parë të SPAK-ut në vitin 2019, duke shfaqur një nivel të lartë përkushtimi dhe qëndrueshmërie, shpesh përballë burimeve njerëzore të kufizuara dhe në një vend që lufton me kulturën e mosndëshkimit dhe me një histori të ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë. BE-ja, së bashku me partnerët e SHBA-së, i ka shoqëruar dhe mbështetur me krenari përpjekjet tuaja që ditën e parë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.
- Nga ana organizative, SPAK-u ka zhvilluar një strukturë solide që mund të mbështesë me efikasitet gjithë elementët e mandatit të tij: hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Kjo strukturë do të mbështesë edhe Kryeprokurorin e Posaçëm në kryerjen e rolit të ri në procesin e vetingut.
- Nga ana operative, SPAK-u ka dhënë rezultate të mira në disa raste të profilit të lartë. Ai ka rikuperuar miliona euro asete nga individë dhe kompani të akuzuara për korrupsion. Bashkëpunimi me agjencitë e BE-së (EUROPOL, EUROJUST, FRONTEX EPPO, OLAF), si dhe ekipet e përbashkëta të hetimit dhe operacionet e përbashkëta me shtetet anëtare të BE-së kanë ndihmuar për çmontimin e grupeve të profilit të lartë të krimit të organizuar në Shqipëri dhe jashtë saj.
- Brenda pak vitesh, SPAK është bërë sinonim i suksesit të Shqipërisë. Këtë e ka pranuar edhe populli shqiptar që e sheh SPAK-un si institucionin vendas më të besuar. Kjo është një dëshmi e punës tuaj të palodhur dhe ju duhet të jeni krenarë për atë që keni arritur në një kohë të shkurtër.
- Por nuk ka vend për vetëkënaqësi. Rezultati i procesit të anëtarësimit në BE do të varet kryesisht nga aftësia e vazhdueshme e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin nëpërmjet hetimeve dhe ndjekjeve penale të dukshme dhe të qëndrueshme, si dhe duke sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme.
- Më lejoni të përmend vetëm disa shtigje që mund të çojnë drejt këtij qëllimi:
- Së pari, emërimi së fundmi i zëvendësdrejtorit të BKH-së që nuk përmbush vetëm një kërkesë ligjore në kuadër të ligjit për SPAK-un, por hap edhe rrugën drejt krijimit të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore që do t’i ndihmojnë hetuesit për kryerjen e hetimeve komplekse dhe të specializuara, si dhe do të mbështesin një koordinim më të mirë me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
- Së dyti, rritja e efikasitetit të hetimeve sistematike financiare është një nga fushat kryesore ku nevojiten përmirësime të mëtejshme, duke përfshirë bashkëpunimin me sektorët privatë (bankat, agjencitë imobiliare dhe noterët). Një rol kritik për zbulimin e transaksioneve të dyshimta që mund të lidhen me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit mund të luajë Agjencia e Inteligjencës Financiare e Shqipërisë, duke ndihmuar kështu SPAK-un dhe juridiksionet e përgjithshme të përmbushin mandatet e tyre.
- E lidhur me këtë dhe me qasjen “Ndiq paratë”, është edhe ngritja e një Zyre të Rikuperimit të Pasurive, e cila është vonuar prej kohësh dhe po bëhet një urgjencë e vërtetë për të identifikuar, gjurmuar dhe sekuestruar më mirë pasuritë e paligjshme.
- Së fundi, është thelbësore të identifikohen dhe trajtohen dobësitë brenda sistemit që krijojnë mundësi për sjellje të pahijshme dhe korrupsion. Strategjia e re kundër korrupsionit thekson rëndësinë e masave parandaluese të synuara dhe një pjesë kritike e kësaj përpjekjeje është sigurimi i një kuadri të qartë ligjor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në fusha komplekse dhe me rrezik të lartë si prokurimi, ku paqartësitë ligjore mund të çojnë në hezitim ose në dekurajimin e zyrtarëve për të marrë vendime nga frika e pasojave (“efekti i ngrirjes”). Ofrimi i qartësisë ligjore, shoqëruar me udhëzime dhe mbështetje të fuqishme, do t'i fuqizojë zyrtarët publikë që të veprojnë me besim dhe transparencë, duke reduktuar rreziqet dhe duke siguruar njëkohësisht ofrim efektiv të shërbimeve publike.
- E gjithë kjo më çon në një pikë më të gjerë. SPAK nuk është dhe nuk mund të jetë i vetëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që SPAK-u të mund t’i përqendrojë burimet dhe të zhvillojë më tej mjete të sofistikuara në raste dhe skema komplekse të profilit të lartë me ndikim të rëndë dhe të gjerë financiar, si dhe t'i japë përparësi punës për zbulimin e dobësive dhe zbrazëtirave sistemike. Forcimi i besimit të publikut te shteti i së drejtës, demonstrimi se askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënien, si dhe ulja e perceptimit të korrupsionit mes qytetarëve të zakonshëm është përgjegjësi e të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit, përfshirë ato të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe e gjithë aktorëve politikë . Ajo duhet të jetë një përpjekje e koordinuar e gjithë shoqërisë.
- Ka detyra të rëndësishme për të ardhmen – jo vetëm për SPAK-un, por për gjithë sistemin, duke respektuar plotësisht kontrollet dhe balancat institucionale ekzistuese të garantuara me Kushtetutë.
- Por sot është koha për mirënjohje dhe festë.
- Zoti Dumani, zonja dhe zotërinj, faleminderit edhe një herë, jemi pranë jush!