This isn't an official website of the European Union

Drita që sjell muzika në jetët e artistëve me probleme shikimi

Teksa janë përfshirë në emocionet më të thella, shumë këngëtarë mbyllin sytë gjatë performancës, veçanërisht te notat më të larta. Të zhytur tërësisht në gjendjen që jep muzika, ata shprehin të gjitha nuancat që ajo mbart. Por për shumë artistë që janë me shikim të dëmtuar, qofshin të verbër apo me shikim të pjesshëm, errësira nuk është një zgjedhje, ajo është bota ku jetojnë dhe bota që duan të kapërcejnë. Përveç sfidave të përditshme me të cilat përballen, ata e kanë më të vështirë të lexojnë, të luajnë dhe të këndojnë pjesë muzikore.

Në Shqipëri, një kor këngëtarësh me shikim të dëmtuar ka arritur të thyejë barrierat dhe të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore. “Si profesore në Liceun Artistik dhe në Universitetin e Arteve, kam pasur studentë me shikim të dëmtuar. Pas vitesh përvoje, më lindi ideja të formoja një grup vokal ku ata të ndiheshin të barabartë dhe të gëzonin të njëjtat mundësi. Pashë vullnetin e tyre, pasionin dhe përkushtimin dhe qëllimi kryesor ishte t'u tregonim se skena është e hapur për ta”, kujton Suzana Turku, një emër me ndikim në muzikën klasike në Shqipëri, që dirigjon vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

joy of singing

Si një nga të paktat dirigjente femra në vend, ajo kishte themeluar më parë korin “Pax Dei”, por ky ishte një projekt krejtësisht ndryshe. “Publiku nuk mund ta ndiejë atë që ndiej unë kur punoj me ta, apo atë që ndiejnë ata kur performojnë. Njerëzit këndojnë për ta shijuar, po ashtu edhe ata. Ata tregojnë dinjitet, janë shumë të përkushtuar, të përgatitur, të disiplinuar, si dhe kanë karaktere që të bëjnë t’i respektosh. Mesazhi ynë është ai i gjithëpërfshirjes, barazisë dhe altruizmit. Ata na kujtojnë se pavarësisht vështirësive, me disiplinë, qëllimet mund të arrihen. Nga ana tjetër, ne duhet të shohim përtej vetes. Në fund të fundit, skena u përket atyre që kanë talent dhe këta artistë sigurisht që e kanë”, thotë profesore Turku.

Në fillim kori përfshinte këngëtarë me shikim të dëmtuar dhe amatorë që i ndihmonin ata. Tani grupi përbëhet nga këngëtarë me shikim të dëmtuar dhe artistë që shikojnë, në numër të barabartë. Turku thekson se ata mbështesin njëri-tjetrin gjatë koncerteve dhe turneve në Shqipëri, Greqi dhe Francë. Së bashku me Besim Petrelën nga “Syri Blu”, ata e quajtën korin “Gëzimi i të kënduarit” dhe janë pjesë e projektit “Koret vizualisht gjithëpërfshirëse”, të financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti synon të promovojë dhe inkurajojë talentet artistike të personave me aftësi të kufizuara dhe të rrisë ndërgjegjësimin për vizibilitetin e tyre.

Ndër vite, pjesë e ansamblit vokal kanë qenë rreth 30 këngëtarë apo amatorë. Disa kanë studiuar muzikë zyrtarisht, ndërsa të tjerët jo. Ata përballen me sfidat e tyre, vëren profesore Turku, por refuzojnë të pranojnë kufij, duke gjetur mënyra alternative për të mësuar dhe mbajtur mend atë çka u nevojitet. “Kanë metodat e tyre të të shkruarit dhe të të ushtruarit, në varësi të materialit me të cilin punojmë. Unë i diskutoj pjesët me ta dhe vendosim së bashku, sepse kur jemi në skenë, kam pritshmëri profesionale”, shpjegon ajo.

joy of singing

Ndërsa publiku vështron marrëdhënien dhe komunikimin mes një dirigjenti dhe artistëve me shikim të dëmtuar gjatë një koncerti, mund të jetë e vështirë të kuptohet se si “e shohin” ata lëvizjen e shkopit. “Drejtimi i një kori të tillë është specifik dhe i veçantë. Ne komunikojmë me përplasje duarsh, trokitje ose numërim, veçanërisht te notat e gjata. Kur kemi një accelerando, unë përplas duart. Pas provave, ata mund të më ndjekin përmes sinjaleve që jap. Artistët e korit mësojnë të më kuptojnë. Është një mënyrë tjetër pune, por më bën të lumtur”, thotë ajo.

Puna e saj me korin drejtohet nga ndjeshmëria dhe përkujdesja, pasi Turku thekson barrën me të cilën përballen familjet me fëmijë që kanë nevoja të veçanta. “Familjet bëjnë gjithçka munden, por kanë nevojë për ndihmën dhe mirëkuptimin tonë. Fëmijët duhen mësuar që t'u japin dashuri dhe t'i pranojnë ata ashtu siç janë”, thekson dirigjentja.

Repertori i korit përfshin pjesë të njohura nga Shqipëria, Greqia dhe Franca, si dhe vepra klasike të kompozitorëve si Mozart dhe Beethoven. Në Ditën e Evropës, në Tiranë, ata performuan himnin evropian “Ode to Joy”, duke demonstruar se “gëzimi i të kënduarit” mund të shkojë përtej probleme të shikimit.

INFORMACION 

Objektivi i projektit për “Forcimin e kapaciteteve të këngëtarëve të korit të të verbërve dhe personave me shikim të dëmtuar” është në përputhje me Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2021-2030, përkatësisht pika 5 e saj që fton Shtetet Anëtare të promovojnë dhe inkurajojnë artin e personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu, të rrisin ndërgjegjësimin, duke i bërë ata të dukshëm përmes ekspozitave dhe shfaqjeve. VIC (Koret Vizualisht Gjithëpërfshirës) përfshin 3 organizata kulturore me përvojë në punën me këngëtarë kori, të cilët ka njohuri se si të punojnë me korin e personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar përmes një projekti 2- vjeçar, 2 raunde shkëmbimesh, seminare, prova dhe rezidenca pedagogjike në Tiranë, Karditsa dhe Strasburgu, ku përfshihen gjithsej 36 këngëtarë kori, ku gjysma e tyre do janë këngëtarë të verbër dhe me shikim të dëmtuar (6 për partner ose 18 në vit ose 36 për të dy vitet). Projekti rrit lëvizshmërinë ndërkombëtare dhe njohuritë ndërkulturore të këngëtarëve koristë të verbër dhe me shikim të dëmtuar nga Franca, Shqipëria dhe Greqia: “Syri blu” (Shqipëri), “Vue d'Ansemble” (Francë) dhe “Karditsa” (Greqi). Ai forcon kapacitetet e dirigjentëve të korit për të punuar me këngëtarë të verbër dhe me shikim të dëmtuar, si dhe për të promovuar shfaqje të reja, tërheqëse dhe gjithëpërfshirëse të korit. Strukturat kulturore apo arsimore në zonat e synuara janë më të sensibilizuara për përfshirjen e më shumë këngëtarëve koristë të verbër dhe me shikim të dëmtuar në programin e tyre të aktiviteteve, ndërkohë që programi rrit ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e qytetarëve për përdorimin e muzikës si mjet për ndërtimin e një komuniteti kulturor të larmishëm dhe gjithëpërfshirës.