This isn't an official website of the European Union

Dialogu Beograd-Prishtinë: Është koha për të marrë përgjegjësi dhe për të ecur drejt BE-sëU

Këtë të shtunë, më 18 mars, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kësaj radhe është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohemi në sallat e njohura të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Ballkani Perëndimor është i ndryshëm nga çdo rajon tjetër në fqinjësinë e afërt të BE-së. Këtë e kuptova edhe para se të bëhesha Përfaqësues i Lartë/ Zëvendëspresident në dhjetor të vitit 2019.

Një prej hapave që duhet përfunduar përpara se të bëhesh kreu i politikës së jashtme të BE-së është një seancë dëgjimore e gjerë në Parlamentin Evropian. Gjatë diskutimit tim me Parlamentin, një vëmendje e veçantë iu kushtua këtij rajoni të rrethuar nga BE-ja, dhe në veçanti planet dhe idetë e mia për Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin BE-ja në atë kohë e kishte lehtësuar për gati 10 vjet. Unë u angazhova me këtë rast që të kryej vizitën time të parë dypalëshe si PLZP në Kosovë dhe Serbi – një premtim që e mbajta.

Sapo mora zyrtarisht detyrën si Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Ballkani Perëndimor u bë natyrisht një nga pikat kryesore të vëmendjes sime. Sa herë që takoj përfaqësuesit e shoqërisë civile gjatë vizitave të mia të shumta në rajon, ata më shprehin qartë një gjë: shumica e njerëzve që jetojnë në Ballkan nuk duan të mbeten të mbërthyer në vitet e 90-ta, të ballafaquar vazhdimisht me rikthimin e së kaluarës. Ata duan të shikojnë përpara dhe jo prapa, të jetojnë në demokraci, të qeverisur nga shteti ligjor, në shoqëri të cilat ofrojnë mundësi për të gjithë. Dëshira për të qenë anëtarë të komunitetit tonë të vlerave nuk është një ëndërr e largët dhe unë i mbështes aspiratat e tyre ashtu siç bën e tërë udhëheqësia e BE-së. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Ato nuk janë një çip për t’u përdorur nga Putini në ëndrrat e tij imperialiste.

Megjithatë, për të hapur rrugën drejt arritjes së objektivit të tyre strategjik për anëtarësim në BE, Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Nuk ka rrugë tjetër.

BE-ja ka bërë pjesën e saj dhe unë vendosa ta bëj Dialogun Beograd-Prishtinë pjesë qendrore të mandatit tim. Këshilli u pajtua me propozimin tim për të emëruar ambasadorin Lajčák Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, me detyrën e parë për të përshpejtuar procesin. Dhe kjo është ajo që ne bëmë. Në vitin 2020, ne mbajtëm në Bruksel disa takime të nivelit të lartë dhe të kryenegociatorit, të fokusuara në negocimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që trajton të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Askush nuk ka thënë ndonjëherë se një detyrë kaq monumentale sa lehtësimi i një marrëveshjeje për normalizim do të jetë e lehtë. Ka pasur ulje-ngritje dhe shumë shpesh çështjet e konsideruara të vogla dhe teknike janë dëshmuar si shumë të ndjeshme dhe politike, me potencialin për t’u kthyer në të dhunshme.

Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës e ndryshoi pamjen. Dialogu nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën dhe Serbinë. Ajo duhet të shihet në kontekstin aktual më të gjerë gjeopolitik, një moment përcaktues në historinë evropiane.

Por në vend që të avancohet në tablonë e madhe të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, në gjysmën e dytë të vitit 2022, koha dhe energjia jonë u përthith nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës, me afat pas afati. Nuk ishte e lehtë për të zbutur situatën dhe për të shmangur një konflikt të plotë, por ia dolëm.

Ky rreth vicioz krizash në prag të përshkallëzimit apo edhe dhunës duhej të ndalej. Prandaj, në shtator të vitit 2022, ne – të mbështetur nga liderët e Gjermanisë dhe Francës dhe miqtë tanë amerikanë – i bëmë një propozim të guximshëm Presidentit të Serbisë Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës Kurti. Një propozim që do t’i jepte fund menaxhimit të krizës dhe në vend të kësaj do të zhvendoste vëmendjen te normalizimi dhe pajtimi, dhe që do të ndihmonte të gjithë rajonin të ngritët tutje drejt Evropës.

Gjatë takimit të fundit të nivelit të lartë ndërmjet të dy liderëve, të cilin e thirra më 27 shkurt të këtij viti, ata ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme lidhur me Propozimin e Bashkimit Evropian për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një dokument i miratuar nga të gjitha 27 shtete anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian në shkurt. Kjo nuk është një arritje e vogël dhe është një hap i rëndësishëm përpara. Por ende nuk është një punë e përfunduar.

Kjo është arsyeja pse tani është koha për t’u fokusuar në tablonë më të gjerë dhe për të mos lejuar që një dritare tjetër mundësie të mbyllet para syve të njerëzve të rajonit, siç ka ndodhur disa herë në historinë e fundit.

Tani është koha që Serbia dhe Kosova të bien dakord për aneksin e zbatimit, i cili është pjesë përbërëse e Marrëveshjes dhe të ndajnë një mirëkuptim të qartë se si të zbatojnë dispozitat e tij.

BE-ja nuk është një procesmbajtës i thjeshtë shënimesh dhe as palë në Dialog: ne jemi dhe mbetemi lehtësues në këtë Dialog. BE-ja është shtëpia përfundimtare për Serbinë dhe Kosovën. Unë do të vazhdoj të punoj pa u lodhur drejt arritjes eventuale të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve që është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së, që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Kjo Marrëveshje në tryezë tani është një hap i rëndësishëm drejt këtij objektivi.

Është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe të tregojnë përgjegjësi të përbashkët për suksesin e procesit të anëtarësimit të rajonit në BE.

Një nga kolegët e mi me përvojë ka thënë se: “Detyra e liderit/lideres është që t’i çojë njerëzit e tij/saj nga atje ku janë atje ku nuk kanë qenë”. Detyra e liderit/lideres, do të shtoja unë, është gjithashtu të ofrojë cilësi të jetës të cilën njerëzit e duan, cilësinë e jetës të cilën e sjellë anëtarësimi në BE.