This isn't an official website of the European Union

BERZH dhe BE ofrojnë fonde për mbështetjen e bizneseve të vogla shqiptare

BERZH, me mbështetjen e BE-së, i jep 5 milionë euro hua Bankës Union për të mbështetur NVM-të shqiptare që të bëhen të gjelbra dhe digjitale, si dhe për të fuqizuar sipërmarrësit e rinj

  • BERZH, me mbështetjen e BE-së, i jep një paketë financiare prej 5 milionë eurosh Bankës Union në kuadër të dy programeve
  • Financim për të siguruar qasje më të lehtë në kredi për sipërmarrësit e rinj dhe për të mbështetur digjitalizimin e bizneseve të vogla
  • Mbështetje shtesë nga donatorë nga Italia, Luksemburgu dhe Suedia

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) bashkojnë forcat për të nxitur bizneset e vogla në Shqipëri nëpërmjet një partneriteti me Bankën Union dhe donatorë të tjerë.

Një paketë financiare prej 5 milionë eurosh u nënshkrua sot, në Shtëpinë e Evropës, në Tiranë, nga Ekaterina Solovova, Drejtore e BERZH-it në Shqipëri dhe znj. Flutura Veipi, CEO e Bankës Union, në prani të Ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato.

Paketa financiare prej 5 milionë euro e BERZH-it do të disbursohet nëpërmjet Bankës Union për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në Shqipëri në kuadër të dy programeve. Programi “Bëhu digjital” do të mbështesë digjitalizimin dhe modernizimin e tyre, si dhe do të nxisë investimet e gjelbra. Programi “Të rinjtë në biznes” synon të rrisë qasjen në financa për bizneset e vogla në pronësi ose të drejtuara nga sipërmarrës të rinj.

Ekaterina Solovova, Drejtore e BERZH-it në Shqipëri, tha: "Jemi krenarë që forcojmë mbështetjen tonë për bizneset e vogla në Shqipëri, një gur themeli i ekonomisë vendore, nëpërmjet këtij partneriteti me Bankën Union. Këto marrëveshje pasqyrojnë qasjen largpamëse të BERZH-it për të nxitur fuqizimin e të rinjve dhe drejtimin e transformimit digjital të sektorit privat".

Të dy programet mbështeten nga financimi i BE-së. Në kuadër të programit “Bëhu digjital”, NMV-të do të përfitojnë nga stimujt në grante të financuar nga BE-ja me vlerë deri në 10 për qind të shumës së kredisë, për t'i bërë investimet e tyre më të përballueshme.

Në kuadër të programit “Të rinjtë në biznes”, BE-ja do të sigurojë financimin për mbulimin e rrezikut të humbjes së parë (FLRC) deri në 10 për qind të shumës së kredisë. Financimi kanalizohet përmes programit të Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+) – hera e parë që EFSD+ ka mbështetur një projekt në Ballkanin Perëndimor.

Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së, tha: “Jemi krenarë që ofrojmë financim nëpërmjet BERZH-it dhe Bankës Union për të lehtësuar qasjen në financa për NMV-të në Shqipëri. NMV-të punësojnë më shumë se 80% të fuqisë punëtore në Shqipëri dhe një financim i tillë i lehtësuar është jetik për të siguruar suksesin e tyre të vazhdueshëm. Ne synojmë t’i mbështesim sipërmarrësit e rinj dhe të promovojmë përdorimin e teknologjive digjitale në NMV për t'i bërë ato më konkurruese, gjë që është në përputhje me Dekadën Digjitale të BE-së dhe Strategjinë tonë për Rininë. Kjo është edhe ajo çka synon Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor”.

Banka Union, si bankë tregtare në Shqipëri, ka vite që është fokusuar te kreditimi i NMV-ve.

Flutura Veipi, CEO e Bankës Union, tha: “Jemi të entuziazmuar për partneritetin me BERZH-in në nisjen e këtyre dy programeve transformuese. Jemi gjithashtu krenarë të mbështetemi te suksesi i programit “Të rinjtë në biznes”, ku një investim prej 1 milion eurosh  ka dhënë tashmë rezultate të jashtëzakonshme në mbështetje të sipërmarrësve të rinj dhe rritjes së bizneseve të tyre. Kjo përvojë na ka treguar potencialin për rritje kur investojmë te të rinjtë dhe jemi të lumtur që vazhdojmë t'i zgjerojmë këto mundësi. Këto nisma përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në nxitjen e inovacionit, rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërisë në Shqipëri, duke mbështetur brezin ardhshëm të drejtuesve dhe modernizimin e sektorit privat”.

 

Për më shumë informacion:

Huaja prej 5 milionë euro jepet në dy linja krediti:

  • Një hua prej 3 milion eurosh në kuadër të programit të BERZH-it “Bëhu digjital” për automatizimin, digjitalizimin dhe investimet e teknologjisë së gjelbër për NMV-të, i cili mbështetet nga BE-ja. Kjo është kredia e parë që Banka jep në kuadër të këtij programi në Ballkanin Perëndimor. Shumica e fondeve do t'i dedikohen projekteve të automatizimit dhe digjitalizimit, duke demonstruar fokusin e Bankës te modernizimi i sektorit privat. Investimet e gjelbra mbeten një prioritet në vend dhe të paktën 60 për qind e financimit total do të jetë për projekte në përputhje me qasjen e Bankës për Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër (GET). Programi përfshin një paketë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi teknik dhe 10  për qind stimuj investimi për nën-huamarrësit për implementimin e automatizimit dhe investimet e digjitalizimit, të dyja të financuara nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
  • Një hua prej 2 milion eurosh në kuadër të programit të madh të BERZH-it “Të rinjtë në biznes” për NMV-të në pronësi ose të udhëhequra nga sipërmarrës nën moshën 35 vjeç, një segment i pashërbyer në vend. Banka po fuqizon sipërmarrësit e rinj në Shqipëri nëpërmjet këtij projekti, duke nxitur përfshirjen e tyre financiare dhe duke ofruar një produkt të përshtatur për nevojat e tyre. Përveç financave, programi ofron shërbime këshillimore për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e njohurive, duke i ndihmuar ata të përmbushin potencialin e tyre. Mbulimi i rrezikut të humbjes së parë deri në 10 për qind të shumës së kredisë do të mbështetet nga BE-ja nëpërmjet programit të saj të Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+), duke e bërë këtë projektin e parë të mbështetur nga EFSD+ në Ballkanin Perëndimor. Programi “Të rinjtë në biznes” mbështetet edhe nga Suedia, përmes Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), nga Italia, përmes Nismës së Evropës Qendrore (CEI), si dhe nga Luksemburgu, përmes Fondit për Ndikimin e Biznesit të Vogël të BERZH-it (SBIF).