BE nis programin e mbështetjes prej 7.2 milionë Eurosh për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në BE
Bashkimi Evropian në Shqipëri ka nisur zyrtarisht Projektin e Mbështetjes së Integrimit në BE (EUIS), një nismë prej 7.2 milionë Eurosh e krijuar për të ndihmuar qeverinë shqiptare për avancimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Kjo mbështetje përputhet me objektivin ambicioz të Shqipërisë, të përshkruar në Planin e saj Kombëtar për Integrimin Evropian, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.
Projekti do të ofrojë asistencë të synuar për strukturat negociuese dhe të gjitha institucionet publike të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE. Nëpërmjet ekspertizës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, BE-ja do ta mbështesë Shqipërinë për koordinimin e procesit të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së në të 35 kapitujt e negociatave.
Ky program gjithëpërfshirës do ta ndihmojë gjithashtu Shqipërinë për përshpejtimin e integrimit në BE, çka nënkupton mbështetjen e vendit për të kapur të gjitha mundësitë e disponueshme të para-anëtarësimit, si pjesëmarrja në programet dhe strukturat e BE-së. Do të krijohen programe strategjike trajnimi për të forcuar aftësitë e administratës publike, jo vetëm për të çuar përpara me sukses procesin e anëtarësimit, por edhe për t’u siguruar që institucionet shqiptare të jenë plotësisht të përgatitura për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit në BE. Për më tepër, qeveria do të përfitojë nga ekspertiza e përkushtuar për të zbatuar Planin e Rritjes dhe Agjendën përkatëse të Reformave që ka miratuar.
Me këtë rast, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato rikonfirmoi angazhimin e fortë të BE-së për integrimin e Shqipërisë: “Perspektiva e BE-së për Shqipërinë nuk ka qenë kurrë më reale. Pas hapjes së dy grup-kapitujve të negociatave me BE-në vitin e kaluar, dhe duke qenë se vendi synon të hapë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të këtij viti, puna për reformat duhet të përshpejtohet ndjeshëm. BE-ja është e gatshme të mbështesë planet ambicioze të Shqipërisë, duke përfshirë edhe këtë projekt të dedikuar. Së bashku me shtetet tona anëtare të BE-së, ne do të bëjmë çmos për ta ndihmuar Shqipërinë jo vetëm për finalizimin e procesit të anëtarësimit, por edhe për përgatitjen për përgjegjësitë dhe përfitimet e anëtarësimit në BE”.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka deklaroi: “Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimit në BE. Që kur iu dha statusi i kandidatit për në BE në vitin 2014, Shqipëria ka punuar pa u lodhur për të harmonizuar politikat, institucionet dhe praktikat e saj me standardet e BE-së. Sot Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me synimin për t’i përfunduar të gjitha reformat kryesore deri në vitin 2027 dhe për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Ndërsa ecim përpara, ne vlerësojmë mbështetjen e BE-së në këtë moment kyç për procesin. Së bashku, ne mund të garantojmë që Shqipëria jo vetëm të përmbushë standardet e nevojshme, por edhe të përshpejtojë përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE”.
Mbështetja e ndërgjegjësimit publik dhe komunikimit rreth BE-së
Sondazhet e fundit të kryera nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri tregojnë se 97 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin e vendit në BE. Megjithatë, këto sondazhe nxjerrin në pah edhe ndërgjegjësimin e kufizuar të publikut për procesin e anëtarësimit dhe projektet specifike të financuara nga BE-ja që tashmë janë duke u zhvilluar në Shqipëri.
Për ta trajtuar këtë, BE-ja në Shqipëri dhe qeveria shqiptare, nëpërmjet projektit EUIS, do të forcojnë komunikimin dhe transparencën mes qeverisë dhe aktorëve joshtetërorë, përfshirë shoqërinë civile, botën akademike, bizneset, të rinjtë dhe qytetarët. Përpjekjet e përbashkëta do të synojnë të shpjegojnë procesin e negociatave, si dhe ndikimin e anëtarësimit në BE.
Një fokus kyç do të jetë gjithashtu rritja e ndërgjegjësimit për Planin e Rritjes, i cili mund t'i sjellë Shqipërisë gati 1 miliard Euro grante dhe investime në infrastrukturë. Ky plan është hartuar për të reduktuar hendekun socio-ekonomik mes Shqipërisë dhe shteteve anëtare të BE-së, duke nxitur modernizimin dhe digjitalizimin, duke forcuar ekonominë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, si dhe duke rritur konkurrencën e saj. Këto përpjekje synojnë ta përgatisin Shqipërinë për t'u integruar plotësisht në tregjet e përbashkëta rajonale dhe evropiane, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke ofruar mundësi më të mira arsimimi dhe trajnimi për qytetarët.
Kjo nismë bazohet në suksesin e programeve të mëparshme të mbështetjes së BE-së, të cilat luajtën një rol kritik në përfundimin e procesit të shqyrtimit të Shqipërisë dhe hapjen e negociatave.