Bashkimi Evropian dhe UNOPS prezantojnë projektin “BE për drejtësi digjitale: Mbështetje për shtetin e së drejtës përmes transformimit digjital”.
Sot, Bashkimi Evropian dhe UNOPS nisën zyrtarisht projektin e ri të financuar nga BE-ja “BE për Drejtësi Digjitale: Mbështetje për shtetin e së drejtës përmes transformimit digjital”. Aktiviteti mblodhi në mjediset e Shtëpisë së Evropës përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë (Qendra TI), Ambasada Suedeze dhe aktorë të tjerë kyç.
Kjo nismë transformuese synon të ndihmojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke forcuar shtetin e së drejtës dhe duke rritur besimin te sistemi i drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit digjital.
Me një buxhet prej 7.5 milionë euro, projekti 4-vjeçar synon të trajtojë sfidat kritike në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke përfshirë proceset e vjetra, menaxhimin e fragmentuar të çështjeve dhe përdorimin e kufizuar të teknologjisë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, Menaxheria e UNOPS-it për Shqipërinë dhe Kosovën Sabine Kania, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse shqiptare.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, tha: “Projekti BE për Drejtësinë Dixhitale është një moment kyç në procesin e zbatimit të reformës në sektorin e drejtësisë në Shqipëri. Është gjithashtu një kërkesë kyçe e Grup-Kapitullit të Parë, që përcakton ritmin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Krijimi i një sistemi modern të menaxhimit të çështjeve, në përputhje me standardet e BE-së, do të ndihmojë institucionet gjyqësore të përmirësojnë performancën e tyre. Nëpërmjet këtij projekti dhe mbështetjes së përgjithshme të BE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri, ka një objektiv kryesor: tu ofrohet qytetarëve shqiptarë një shërbim publik cilësor dhe efikas të drejtësisë.”
Sabine Kania, Menaxhere e UNOPS-it për Shqipërinë dhe Kosovën tha: " Me këtë projekt, synojmë të krijojmë një integrim të plotë të sistemeve, proceseve dhe të dhënave duke nëpërmjet digjitalizimit në sektorin e drejtësisë. Ky do të jetë themeli teknologjik për të modernizuar sistemin e drejtësisë, forcuar shtetin e së drejtës dhe mbi të gjitha, për të ndërtuar një besim më të madh tek institucionet ligjore.”
Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë tha: “Rrugëtimi ynë drejt BE-së bazohet në një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë, si një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Ky vizion i qeverisë dhe i shumicës sonë parlamentare, i farkëtuar me reformën e pakthyeshme të drejtësisë, vazhdon të mbështetet fuqimisht nga partnerët tanë strategjikë, BE dhe SHBA, të cilët na kanë sjellë sot në një tjetër stacion të rëndësishëm – fillimin e ndërtimit të drejtësisë digjitale.”
Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm tha: "Bota ka hyrë tashmë në epokën dixhitale, që karakterizohet nga një zhvillim i shpejtë i teknologjisë, ndaj sfida e këtij projekti do të jetë jo vetëm të ngrejë një sistem menaxhimi efikas dhe eficent i cili i pergjigjet nevojave aktuale, por të shohë nga e ardhmja, duke mundësuar efektivitetin e tij për një periudhë të gjatë kohore."
Duke futur një sistem të unifikuar digjital të menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë dhe mjete të avancuara të analizës së të dhënave për të mbështetur vendimmarrjen transparente dhe të bazuar në të dhëna, projekti do të forcojë koordinimin dhe llogaridhënien. Për më tepër, ai synon të ndihmojë për përmirësimin e kapaciteteve të Qendrës TI për të drejtuar dhe zbatuar reforma digjitale në gjithë sektorin e drejtësisë për të arritur ndërveprim ndërmjet institucioneve të ndryshme gjyqësore. Ky projekt pritet të kontribuojë në arritjen e rezultateve konkrete në reformën në drejtësi, si dhe t'u sigurojë profesionistëve ligjorë, publikut dhe shoqërisë civile shërbime drejtësie më të shpejta, më transparente dhe më të arritshme.
Projekti inovativ “BE për drejtësinë digjitale” do të sigurojë bazën e nevojshme teknologjike për të nxitur përmirësime afatgjata dhe për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE duke modernizuar dhe digjitalizuar sistemin e drejtësisë.
Rreth projektit “BE për drejtësinë digjitale”
Projekti “BE për drejtësinë digjitale”, i zbatuar nga UNOPS-i dhe i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA III, me një buxhet prej 7.5 milionë euro, synon ta transformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit digjital. Gjatë 48 muajve, projekti do të krijojë një sistem modern të menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë, do të rrisë kapacitetin e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe do të vërë në zbatim instrumentet e inteligjencës në biznes për vendimmarrje të bazuara në të dhëna. Kjo nismë synon të forcojë shtetin e së drejtës, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të ofrojë shërbime drejtësie më të shpejta dhe më transparente, në përputhje me standardet e BE-së.
Rreth Bashkimit Evropian në Shqipëri
Bashkimi Evropian është partneri më i madh i Shqipërisë për zhvillim, duke ofruar mbi 100 milionë euro në vit asistencë në grante për të mbështetur popullin shqiptar dhe për ta ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për t'iu përmbajtur vlerave të BE-së dhe për t'u përafruar në mënyrë progresive me rregullat e saj.
Informacione të mëtejshme mbi projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe mbi bashkëpunimin BE-Shqipëri mund të gjenden në https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_en
Rreth UNOPS-it
Misioni i UNOPS-it është të ndihmojë njerëzit të ndërtojnë jetë më të mirë dhe vendet të arrijnë paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ne ndihmojmë Kombet e Bashkuara, qeveritë dhe partnerët e tjerë për të menaxhuar projektet dhe për të ofruar infrastrukturë të qëndrueshme dhe prokurime në mënyrë efikase. Lexo më shumë: www.unops.org