Ballkani Perëndimor është i mirëpritur të aplikojë për Çmimet e Bauhaus-it të Ri Evropian 2025
Komisioni Evropian ka hapur aplikimet për Çmimet e Bauhaus-it të Ri Evropian 2025, të disponueshme për Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe vendet anëtare të BE-së. Vizionarët, krijuesit dhe ndryshuesit nga Shqipëria mund të dërgojnë ende projekte novatore të frymëzuara nga Bauhaus-i i Ri Evropian nëpërmjet platformës së Çmimeve të Bauhaus-it të Ri Evropian deri më 14 shkurt 2025.
Tani në edicionin e tij të pestë, çmimet e këtij viti do të kenë një fokus të veçantë tek strehimi: “Çmimet për Strehimin e Përballueshëm NEB”. Katër projekte do të akordohen në kategorinë "Kampionët e Bauhaus-it të Ri Evropian" për projektet e përfunduara në BE që kontribuojnë në përpjekjet e BE-së për të përmirësuar përballueshmërinë e strehimit dhe për të kombinuar atë angazhim me vlerat dhe parimet e NEB.
Çmimet NEB 2025 do të shpërblejnë projektet ekzistuese si dhe konceptet e zhvilluara nga talentet e rinj nën katër kategori:
- Rilidhja me natyrën;
- Rikthimi ndjenjës së përkatësisë;
- Prioritetizimi i vendeve dhe njerëzve që kanë më shumë nevojë;
- Formimi i një ekosistemi industrial ciklik dhe mbështetja e të menduarit të ciklit jetësor.
Në secilën nga katër kategoritë vendosen dy fusha paralele të konkurrencës:
- Kapitulli A: "Kampionët e Bauhaus-it të Ri Evropian" do t'i kushtohet projekteve ekzistuese dhe të përfunduara me rezultate të qarta dhe pozitive.
- Kapitulli B: "Yjet e Bauhaus-it të Ri Evropian" do t'i kushtohen konceptevetë paraqitura nga talentë të rinj të moshës 30 vjeç ose më të rinj. Konceptet mund të jenë në faza të ndryshme të zhvillimit, nga idetë me një plan të qartë deri në nivelin e prototipit.
Çmimet e vitit 2025 do t'u jepen 22 fituesve dhe nënkampionëve në total, të cilët do të marrin një çmim monetar deri në 30,000 €, si dhe një paketë komunikimi për t'i ndihmuar ata të zhvillojnë dhe promovojnë më tej projektet dhe konceptet e tyre.
Si të aplikoni
Aplikimet për Çmimet NEB janë të hapura deri më 14 shkurt 2025 në orën 19:00 CET. Aplikimet duhet të dorëzohen nëpërmjet platformës së Çmimeve të Bauhaus-it të Ri Evropian zyrtare.
Të gjitha detajet rreth procesit të aplikimit janë përfshirë në Udhëzuesin për Aplikantët, të disponueshëm në të gjitha gjuhët e BE-së si dhe ato të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës.
22 fituesit do të shpallen në një ceremoni çmimesh më vonë gjatë këtij viti. Informacione të mëtejshme do të ndahen në kohën e duhur në platformën Çmimet e Bauhaus-it të Ri Evropian 2025.
Sfondi
Bauhaus-i i Ri Evropian është një nismë politike dhe financiare e BE-së që e shndërron tranzicionin e gjelbër në mjedise të ndërtuara këndshëm, tërheqëse dhe të volitshme për të gjithë. Nisma fton të gjithë të rimodelojnë të ardhmen tonë dhe ta bëjnë atë më të qëndrueshme, më të bukur dhe gjithëpërfshirëse, duke nxitur përvoja pozitive dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë.
I lançuar nga Presidentja von der Leyen në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit të vitit 2020, Bauhaus-i i Ri Evropian u bashkë-projektua me mijëra njerëz dhe organizata në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Për më shumë informacion
Platforma e Çmimeve të Bauhaus-it të Ri Evropian
Udhëzues për Çmimet e Bauhaus-it të Ri Evropian