This isn't an official website of the European Union

BAASHKIMI EVROPIAN – SHQIPËRI MBLEDHJA e 16-të e NËNKOMITETIT të SA-së DREJTËSIA, LIRIA DHE SIGURIA

BASHKIMI EVROPIAN – SHQIPËRI

MBLEDHJA e 16-të e NËNKOMITETIT të SA-së

DREJTËSIA, LIRIA DHE SIGURIA

11 - 12 SHKURT 2025

Takimi i 16-të i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 11 dhe 12 shkurt 2025. Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit pas qëndrimit të përbashkët të BE-së të tetorit 2024, që shënoi hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë për Grup-kapitullin 1: Themelorët. Takimi u bashkëkryesua nga znj. Sigrid Brettel, shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian (Komisioni Evropian), z. Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe z. Tedi Dobi, zëvendësministër i Drejtësisë së Shqipërisë. Fjalën e hapjes e mbajtën ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe znj. Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian.

Komisioni Evropian përshëndeti rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK). Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë guri i themelit i reformës në drejtësi të vitit 2016, konsolidimin e vazhdueshëm të së cilës BE-ja e mbështet dhe promovon si pjesë përbërëse e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. SPAK-u ka kontribuuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të ofruar një historik të besueshëm rezultatesh kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë. U theksua gjithashtu rëndësia e përparimit të mëtejshëm në përafrimin me acquis-në e BE-së në këtë fushë dhe e një Zyre të Rikuperimit të Aseteve plotësisht funksionale, e krijuar brenda Policisë së Shtetit Shqiptar. Komisioni Evropian njohu përpjekjet e Shqipërisë dhe bëri thirrje për forcimin e efikasitetit të kuadrit të parandalimit të korrupsionit veçanërisht në sektorët vulnerabël dhe rritjen e efektivitetit të verifikimit të deklaratave të pasurisë. Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu nevojën për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s. 

Lidhur me progresin në zbatimin e reformës në drejtësi, Komisioni përshëndeti përfundimin me sukses të procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) të shkallës së parë. Komisioni rikujtoi nevojën për konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe cilësisë së gjyqësorit, si dhe përpjekjet për të rritur efikasitetin në të gjitha nivelet. Komisioni rikujtoi gjithashtu nevojën për të vazhduar monitorimin e përpjekjeve për të ushtruar ndikim të padrejtë në gjyqësor.

Për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës, Komisioni mori dijeni për krijimin së fundi të një Sistemi kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe nxiti funksionalizimin e plotë të tij. Komisioni inkurajoi gjithashtu krijimin sa më shpejt të jetë e mundur të një Observatori Kombëtar të Drogave funksional dhe me burime të mjaftueshme. Shqipëria u ftua të sigurojë zbatim të fortë ligjeve për shkeljet kundër kultivimit të ligjshëm të kanabisit..

Për azilin, vizat, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Komisioni përshëndeti përparimin e mirë të Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet mbeten të nevojshme për të harmonizuar më tej politikën e vizave të Shqipërisë me atë të BE-së dhe për të reduktuar më tej kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së. Shqipëria u ftua të krijojë mjedise të dedikuara pritjeje dhe strehimi për të miturit e pashoqëruar dhe përfshirjen e këtyre të fundit në sistemin kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve.

Për sa u përket të drejtave themelore, Komisioni Evropian përshëndeti përparimin në përafrimin me acquis të BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe përparimin në miratimin e legjislacionit zbatues për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Zbatimi mbetet kyç. Më tej u theksua nevoja për përparim në fushën e lirisë së shprehjes, barazisë dhe mosdiskriminimit, të drejtës së pronës dhe të drejtave të fëmijëve.