This isn't an official website of the European Union

Arti i të dëgjuarit, tinguj muzike dhe netë poezie në vendet e trashëgimisë kulturore

1000 qirinj ndriçojnë shtëpinë muze të Ismail Kadaresë në Gjirokastër me reflektimet e flakëve të verdha që lajnë muret, ndërsa tingujt e instrumenteve muzikore shqiptare dhe tibetiane e tërheqin audiencën në një udhëtim emocionues.

Teksa luan muzikë, aktori i njohur Erdit Asllanaj u kërkon zogjve t'i tregojnë udhën, pasi zogjtë kanë fluturuar, kanë kënduar dhe janë kthyer në foletë e tyre përpara njerëzve. 

Kjo simbolizon udhën e emigracionit të atyre që lanë vendin dhe gjetën rrugën për t'u rikthyer në atdheun e vet, si dhe rrugëtimin personal të Asllanajt. Kur emigroi për dy vjet, e vetmja gjë që mori me vete ishte longari – një instrument muzikor shqiptar i njohur edhe si curla dyjare – i punuar me dru. I binte instrumentit që kur ishte fëmijë dhe gjatë interpretimit shpjegon këtë marrëdhënie me instrumentin, që është njëkohësisht një marrëdhënie me kujtimet e fëmijërisë dhe vendin e origjinës së tij. Teksa percepton ndjenjën e përkatësisë diku, bëhet edhe një lidhje me rrënjët, pavarësisht largësisë dhe kohës.    

Erdit Asllanaj Ekuliber

“Performanca ime përfshin fjalë dhe tinguj, instrumente tradicionale si longari dhe moderne si hang, të cilat i zbulova kur isha jashtë vendit. Nisi si një pasion personal për instrumentet tradicionale dhe më pas kuptova se mund të kombinoja kultura të ndryshme nga vende apo rajone të ndryshme në një performancë, ku instrumentet, pavarësisht origjinës së tyre, mund të luhen në mënyra të tjera, duke interpretuar vargje të tjera. Në këtë mënyrë, ato fitojnë dimensione të tjera, krahas autorëve shqiptarë, veprat e të cilëve interpretohen gjatë shfaqjes, ku të gjitha lidhen përmes ekuilibrit dhe harmonisë”, thotë aktori.

 

Asllanaj dhe “Shtëpia e Evropës” kanë organizuar një sërë netësh poezie dhe muzike në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të mbajtura në shtëpi tradicionale apo muze, duke ndërthurur një performancë me tetë perkusione dhe vargje të poetëve të njohur shqiptarë si Naimi Frashëri, Fan Noli etj. Çdo aktivitet është përshtatur me qytetet e vizituara, duke paraqitur një koncept të ri të performancës dhe duke e zhvilluar më tej qasjen artistike.

 

Në Shkodër, në Muzeun “Oso Kuka”, vargjet e poetit të njohur Migjeni kushtuar të rinjve dhe të interpretuara nga Asllanaj erdhën së bashku me një zë të dytë nga publiku që këndonte një këngë të vjetër dashurie, ndërsa tingujt e luajtur me hang dhe kitarë i shoqëronin. Kombinimi që bashkon një poet nga veriu me një këngë nga jugu ka qenë rezultat i një kërkimi të gjatë artistik personal për të.

Erdit Asllanaj Ekuliber

“Është eksperimentale. Punojmë dhe zbulojmë gjëra të reja frymëzuar nga muzika apo kultura tradicionale dhe më pas u japim një formë tjetër, si vargjet e Migjenit me këngën nga Labëria. Bashkimi i tyre krijon një dimension të ri për të dy. Tani mund të them se ky është projekti më i bukur me të cilin kam punuar, pasi çdo provë është ndryshe. Instrumentet bartin shpirtin e popullit ndër shekuj dhe fjalë pas fjale e tingull pas tingulli kanë një jetë tjetër. Kemi arritur të përvijojmë muzikën dhe letërsinë në një strukturë të re, në të cilën pjesë e performancës është edhe publiku”, shpjegon Asllanaj, ndërkohë që një nga instrumentet që prodhon tingujt e valëve të oqeanit kalon nëpër duart e publikut.

 

Ai e quan performancën art i të dëgjuarit. Është mbi të gjitha, një eksplorim personal, kërkim i ekuilibrit dhe harmonisë, apo drejtpeshim në një botë që ecën me shpejtësi. Megjithatë, më shumë se një koncept filozofik, ky projekt dhe arti i të dëgjuarit përshkruajnë përvojën e publikut që është pjesë e shfaqjes, si dhe atmosferën e krijuar, që është edhe çlodhëse edhe magjepsëse. Motivet e luajtura gjatë performancës, jehonat, fjalët, tingujt dhe pëshpëritjet krijojnë energjinë e ndjerë mes një loje artistike dhe një udhëtimi shpirtëror.

 

I ulur para publikut, me këmbët të kryqëzuara sipas mënyrës tradicionale shqiptare, Asllanaj, i cili i ka treguar publikut artin e tij të dëgjimit, rrugëtimin e tij të ikjes dhe kthimit,  si dhe historinë që qëndron pas instrumenteve të tij, e mbyll performancën duke kënduar vargjet e veta, për një tokë të bukur që nuk mund të braktiset, me motive të polifonisë, me zë të ulët, gati një pëshpëritje, si një këngë lutjeje e nënës për birin e saj