303: Historia e burgut të Spaçit përmes artit dhe lëvizjes
“Valsi i lumturisë” jehon në një nga qelitë e ish-burgut të Spaçit, teksa aktorja Rosella Pelicioti i bashkohet kërcimit, duke përdorur si partner një karrige druri. Trupi i saj ndërthuret me objektin prej druri në një duet të dhimbshëm, ku partneri është më shumë një lak që shtrëngon një trup të hollë që mbart peshën e frikës dhe ankthit në çdo prekje dhe çdo lëvizje.
Pas tyre është një tryezë bosh, e cila dëshmon absurdin në të cilin jetuan dhe mbijetuan njerëzit në burgun e Spaçit nën regjimin komunist në Shqipëri, ku lumturia dhe valsi ishin të pamundura. Duke qenë se zotërimi dhe përkatësia ishin relative në atë kohë, në fund të skenës aktorja e lë karrigen.
Sekuenca është pjesë e “303”, një video-film i koreografit Gentian Doda. Duke përdorur një rrëfim që vjen përmes imazhit, ai synon të krijojë dhe të tregojë peshën e dhimbjes, pritjes, mallit dhe dhunës që shoqëroi jetën e ish të burgosurve politikë në kampin burg që ndodhet në mes të maleve në Mirditë. Filmi hapet me një grua, e cila duhet të ecë gati 7 kilometra për të arritur në burg, ku i afërmi i saj i dashur po vuan dënimin. Mbi kodër, silueta e një burri vështron poshtë rrugën që ndan botën nga qelia e burgut.
EU Delegation to Albania
Në skenat e mëtejshme, gruaja shfaqet duke pritur në dhomën e vizitave, ndërsa herë pas here shfaqen burra me fytyra të mbuluara me maska të bardha. Këta vela të bardhë që mbulojnë portretet, japin edhe idenë e dehumanizimit të individëve, të cilëve u është kërkuar dhe janë detyruar të riformojnë sjelljet, ndjenjat dhe vështrimin e tyre sipas modelit të dhënë të sistemit, për të krijuar “njeriun e ri”, siç donte sundimi komunist. Dhe më pas miniera dhe vuajtjet, britmat pa zë dhe kushtet e tmerrshme pushtojnë ekranin e errët, ku errësira tregon ngjyrën e një kohe.
Burri dhe gruaja nuk takohen gjatë gjithë filmit, ndërsa publiku përjeton një ndjenjë të vazhdueshme ankthi. Jetët e tyre rrjedhin ngadalë si dy vija paralele, të ndikuara nga njëra-tjetra, por pa një pikë kontakti. Në dy dhoma të vogla dhe të mykura, pritja dhe frika përcillen përmes lëvizjeve të trupave, frymëmarrjes apo psherëtimave. Filmi synonte të përballej me të kaluarën e Shqipërisë, duke e shfaqur dhimbjen pa zë e tekst, jo se viktimat ishin pa zë, por sepse publiku duhet të ketë perceptimin e vet.
EU Delegation to Albania
“Ideja ime ishte të universalizoja atë që ndodhi pa gjeografinë e saj. Do të pretendoja shumë po të bëja sikur do të flas për të burgosurit apo historitë e tyre – askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se ata. Doja që të gjithë të merrnin përshtypjen e tyre nga ajo që ka ndodhur atje. Kur shkuam në Spaç, ndiheshim çdo ditë e më keq dhe ishim të lodhur, shpirtërisht të lodhur”, tha gjatë premierës në kinema “Millenium”, Doda, regjisori i “Was bleibt kolektiv”, një organizatë artistike e cila zbulon kushtet njerëzore përmes lëvizjes.
Ai bashkoi forcat me “Te Bunkeri”, një nismë e inovacionit social, për të prodhuar këtë film të shkurtër të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit “BE për kulturën”. Pas një ekspozite me portretet e ish të burgosurve politikë në Spaç, filmi është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbështetur Shqipërinë që të përballet me të kaluarën dhe për të mbajtur gjallë historitë e të mbijetuarve, duke trajtuar njëkohësisht thirrjen e tyre për drejtësi.
EU Delegation to Albania
“Thellësisht i prekur nga historitë e katër burrave trima që i mbijetuan mizorive në burgun famëkeq të Spaçit në Shqipërinë komuniste: Zenel Drangu, Agron Hoxha, Bedri Blloshmi dhe Banush Cuka. Historitë e tyre të sakrificës, qëndresës dhe shpresës janë një mësim i fuqishëm për brezat e rinj, duke na kujtuar pse duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet kurrë. Zërat e tyre, së bashku me ato të qindra të mbijetuarve të tjerë, meritojnë të dëgjohen dhe të mbështeten për të kërkuar drejtësi. BE-ja mbetet e përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për t'u përballur me të kaluarën e saj”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato pas takimit me ish të burgosurit politikë, më herët atë ditë.
EU Delegation to Albania
Nëpërmjet artit, ky projekt synon të angazhojë audienca të ndryshme, duke ndriçuar historitë e kampit famëkeq të burgut "303" të Spaçit.
Informacion
Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet te rinovimi dhe rigjallërimi i 23 objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga Bashkimi Evropian me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë Euro. Ai synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjive inovative, duke përfshirë rrëfimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të arritshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, programi po mbështet sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen në zona të përzgjedhura, përmes shpërndarjes së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore.