This isn't an official website of the European Union

“BE për shkollat”, ndërtimi i së ardhmes me standardet e BE-së

Mbi 19.000 fëmijë nisin sot rrugëtimin e tyre të ri shkollor në mjedise moderne, falë programit “BE për shkollat”. Nisur në prill 2020, tashmë katër vjet më vonë, janë rindërtuar apo riparuar 58 shkolla e kopshte. Shumë prej këtyre shkollave, të ndërtuara para viteve 1990, jo vetëm që u dëmtuan nga tërmeti i vitit 2019, por përballeshin me sfida në kushtet e pritjes së fëmijëve me nevoja të veçanta dhe kishin mangësi në pajisje e instalime moderne.

Nisur nga këto rrethana, programi “BE për shkollat” udhëhiqet nga dy parime kryesore: “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”. Duke u fokusuar te parandalimi i rrezikut dhe plotësimi i nevojave të dy brezave, të gjitha punimet e ndërtimit në 63 objektet arsimore përputhen plotësisht me Eurokodin 8, standardi për projektimin e ndërtesave të reja dhe rinovimin e ndërtesave ekzistuese për të qenë rezistente ndaj tërmeteve. Kjo përfshin teknologji rezistente ndaj katastrofave, duke siguruar që investimet të jenë edhe “të zgjuara ndaj katastrofave” edhe të sjellin përmirësime të cilësisë, siç janë sistemet efikase të energjisë dhe aksesueshmëria më e madhe për individët me aftësi të kufizuara.

EU4Schools

Materialet e rrezikshme të ndërtimit, si azbesti, janë ndaluar. Për më tepër, për të reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe për të përmirësuar efiçencën e energjisë, janë përdorur orendi dhe pajisje miqësore me mjedisin, duke përfshirë dritat LED në vend të llambave fluoreshente që përmbajnë merkur, si dhe panele diellore. Metodologjia “Rindërtojmë më mirë” përfshin parime ndërtimi të arritshme që rezultojnë me struktura të reja të pajisura me ashensorë, rampa për karriget me rrota, dyer të aksesueshme, shkallë dhe tualete. Për më tepër, shkollat e mesme tani kanë laboratorë të rinj kimie dhe fizike të pajisur me pajisje sigurie të standardeve të BE-së, përfshirë dhoma të sigurta të magazinimit të kimikateve dhe thithëse tymi.

EU4Schools

Hapësirat dhe sportet

Menjëherë pas tërmetit, jeta dukej se kishte pushuar. Shkollat ishin të mbyllura, të dëmtuara dhe të heshtura. Brenda, u shkatërruan edhe asetet fizike si orenditë, pajisjet TIK, bibliotekat dhe materialet mësimore. Katër vjet më vonë, bibliotekat e reja janë bërë vende takimi gjithë gjallëri për nxënësit, duke ofruar hapësira leximi, ku librat shumëngjyrësh ushqejnë imagjinatën e tyre. Në palestra, nxënësit tani luajnë volejboll dhe basketboll, edhe pas orarit të mësimit.

EU4Schools

Përveç këtyre përmirësimeve, mjediseve të shkollës u janë shtuar hapësira të gjelbra, lulishte, mjedise arti dhe salla multifunksionale. Shkollat tani kanë edhe mjedise sportive të brendshme e të jashtme, kënde lojërash, si dhe salla të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike, duke krijuar një mjedis modern e edukues.

INFORMACION

“BE për shkollat” është një program i financuar nga Bashkimi Evropian me një kontribut prej 75 milionë Euro në përgjigje të procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Programi zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare. Programi përqendrohet në 63 objekte arsimore në 11 bashki, në Krujë, Durrës, Kurbin, Kamëz, Kavajë, Tiranë, Mirditë , Lezhë, Rrogozhinë, Shijak dhe Vorë. Më shumë se 1 milion njerëz po përfitojnë nga programi, nga të cilët 24.000 janë studentë dhe mësues. Bazuar në qasjen “Ndërtojmë më tej së bashku”, janë zhvilluar 68 konsultime publike me më shumë se 1.800 përfitues, duke përfshirë përfaqësues të pushtetit vendor dhe të institucioneve vendore, mësues, prindër dhe nxënës.

EU4Schools