“BE për drejtësi digjitale”, një sistem i integruar i menaxhimit të çështjeve për gjyqësorin në Shqipëri

Shqipëria do të krijojë një sistem të integruar të menaxhimit të çështjeve për gjyqësorin në kuadër të projektit “BE për drejtësi digjitale”. Duke i shërbyer përafërsisht 550 përdoruesve në 20 zyra dhe duke përfshirë hartëzimin e proceseve të biznesit, ai synon të forcojë shtetin e së drejtës dhe të rrisë besimin te sistemi i drejtësisë në Shqipëri duke rritur efikasitetin, transparencën dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor nëpërmjet digjitalizimit, në përputhje me standardet e BE-së.
Projekti “BE për drejtësi digjitale: Mbështetje për shtetin e së drejtës përmes transformimit digjital” nisi të enjten në Shtëpinë e Evropës, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS, në prani të përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë (Qendra TI), Ambasada Suedeze dhe aktorë të tjerë kyç.
Duke kapërcyer proceset manuale, mungesën e të dhënave të centralizuara, statistikave dhe joefikasitetin në gjurmimin e rasteve, projekti do të lehtësojë koordinimin ndërmjet palëve të ndryshme të interesit, si dhe do të mundësojë bashkëpunimin digjital mes gjykatave dhe dorëzimin elektronik të dokumenteve.
“Projekti BE për drejtësi digjitale” është një moment historik i rëndësishëm në procesin e zbatimit të reformës në sektorin e drejtësisë në Shqipëri. Ai është gjithashtu një kërkesë kyçe në Grup-kapitullin 1, që përcakton ritmin për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Krijimi i një sistemi modern të menaxhimit të çështjeve, në përputhje me standardet e BE-së, do t’i ndihmojë institucionet gjyqësore shqiptare të përmirësojnë performancën e tyre. Nëpërmjet këtij projekti dhe mbështetjes së përgjithshme të BE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri, ai ka një objektiv kryesor: ofrimin qytetarëve shqiptarë të një shërbim publik cilësor dhe efikas të drejtësisë”, theksoi ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato.
Përfituesit kryesorë të projektit janë Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sektorin e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë që Qendra TI ka avancuar në zbatimin e udhërrëfyesit dhe kuadrit të ndërveprueshmërisë për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, projekti siguron një qasje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e ndryshimeve për trajtimin e sfidave të së kaluarës dhe garantimin e miratimit dhe integrimit të suksesshëm të sistemit të ri. Sistemi i integruar për menaxhimin e çdo dosjeje të regjistruar nga sistemi i drejtësisë pritet të jetë i aksesueshëm nga çdo qytet i Shqipërisë dhe të lehtësojë punën e sistemit të drejtësisë.
Projekti synon të krijojë një sistem magazinimi të të dhënave dhe të inteligjencës në biznes për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e gjyqësorit shqiptar duke lehtësuar prodhimin dhe ndarjen e statistikave të besueshme në gjithë institucionet. Sistemi i inteligjencës në biznes do të jetë në përputhshmëri me treguesit gjyqësorë të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) dhe standardet kombëtare të raportimit, duke trajtuar boshllëqet aktuale në mbledhjen sistematike të të dhënave. Bashkëpunimi i ngushtë me homologët kombëtarë do të sigurojë përputhjen me ligjet kombëtare dhe rregulloret e BE-së, duke krijuar një qasje të adaptueshme dhe kohezive për menaxhimin e të dhënave gjyqësore.
INFORMACION
Projekti “BE për drejtësinë digjitale”, i zbatuar nga UNOPS-i dhe i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA III, me një buxhet prej 7.5 milionë euro, synon të transformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit digjital. Gjatë 48 muajve, projekti do të krijojë një sistem modern të menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë, do të rrisë kapacitetin e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe do të vërë në zbatim instrumentet e inteligjencës në biznes për vendimmarrje të bazuara në të dhëna. Kjo nismë synon të forcojë shtetin e së drejtës, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të ofrojë shërbime drejtësie më të shpejta dhe më transparente, në përputhje me standardet e BE-së.