RRETH NESH
Rreth Ambasadorit
Para emërimit si Ambasador i BE-së në Shqipëri, ai ka qenë Ambasador, Zëvendës Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Ai ka qenë më parë Drejtor për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale, Koordinimin e Politikave dhe Diplomacinë Publike në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS). Përgjegjësitë e tij mbulonin marrëdhëniet me të gjitha institucionet e BE-së dhe përfaqësimin e EEAS-së në negociata që kanë implikime institucionale apo ligjore, përfshirë sanksionet. Ai ka qenë përgjegjës për koordinimin e të gjitha dosjeve politike dhe legjislative, si dhe për përgatitjen e mbledhjeve të Këshillit të Punëve të Jashtme. Ai ka qenë gjithashtu përgjegjës për aktivitetet e diplomacisë publike (përfshirë promovimin e çështjeve kulturore në marrëdhëniet e jashtme të BE-së) dhe çështjet e komunikimit strategjik. Në këtë kontekst, ai ka mbikëqyrur strategjinë e komunikimit të EEAS-së, përfshirë aktivitetet që synojnë luftën kundër manipulimit të informacionit nga burime të huaja.
Më parë ai ka qenë Drejtor për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në EEAS. Në këtë cilësi, ai ka qenë përgjegjës për organizimin dhe përmbajtjen e gjithë dialogjeve dhe konsultimeve në lidhje me të drejtat e njeriut ndërmjet BE-së dhe vendeve partnere (mbi 40 prej tyre), hartimin e udhëzimeve të politikave dhe udhëzimet për delegacionet dypalëshe dhe shumëpalëshe të BE-së në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe mbështetjen e demokracisë. Ai ka qenë gjithashtu përgjegjës për aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve.
Ai ka qenë po ashtu Shef i Sekretariatit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian në periudhën 2009–2014, ku ka këshilluar kryetarin për prioritetet dhe organizimin e punës së komisionit.
Me formim në gjuhë dhe letërsi, ai flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, si dhe ka disa njohuri të spanjishtes.
Ai është italian, i martuar, dhe ka dy djem.